Regjistri Qendror i Popullsisë përfaqëson një bazë të dhënash unike, të centralizuar dhe elektronike që përmban informacione të sakta, të besueshme dhe të përditësuara rregullisht për personat fizikë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ky regjistër është krijuar me qëllim që të sigurojë një sistem të sigurt dhe efikas për shkëmbimin e të dhënave mes institucioneve shtetërore, si bazë për transformimin dixhital dhe modernizimin e shërbimeve publike.
Regjistri Qendror i Popullsisë përmban të ashtuquajturat të dhëna referuese për qytetarët, siç janë: emri dhe mbiemri, numri amë personal, data dhe vendi i lindjes, shtetësia, adresa e banimit, statusi martesor dhe të dhëna për vdekjen. Këto të dhëna janë të unifikuara dhe të qasshme në kohë reale për institucionet e autorizuara, me qëllim të thjeshtimit të procedurave administrative dhe zvogëlimit të nevojës që qytetarët të dorëzojnë dokumente të ndryshme.
Burimet e të Dhënave
Të dhënat në Regjistrin Qendror të Popullsisë mblidhen dhe përditësohen nga institucionet burimore si më poshtë:
- Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) – ofron të dhëna për identifikim personal, adresat dhe shtetësinë;
- Drejtoria për Menaxhimin e Librave Amë – ofron të dhëna për lindje, lidhje ose zgjidhje martese dhe vdekje;
- Regjistri Qendror i Republikës së Maqedonisë së Veriut – ofron të dhëna për qytetarët të lidhura me subjektet afariste, kur është relevante.
Këto institucione janë burimet e vetme të autorizuara të të dhënave të sakta në regjistër dhe kanë obligim t’i përditësojnë ndryshimet në përputhje me ligjin.
Përdoruesit e të Dhënave
Qasja e autorizuar në të dhënat e Regjistrit Qendror të Popullsisë, për përmbushjen e kompetencave të tyre ligjore, u lejohet:
- Ministrisë për Transformim Dixhital
- Ministrisë së Financave – Drejtoria e Policisë Financiare
- Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës
- Doganës së Republikës së Maqedonisë së Veriut
- Entit Shtetëror për Statistikë
- Regjistrit Qendror të Republikës së Maqedonisë së Veriut
- Agjencisë për Punësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut
- Agjencisë për Kadastër të Pasurive të Paluajtshme
- Maqedonia Telekom AD – Shkup
- Eurotrust Technologies DOOEL
- Shtëpia e Kliringut – Sistemet Ndërbankare të Kliringut AD Shkup (KIBS AD Shkup)
- A1 Maqedoni DOOEL – Shkup
Këto institucione janë përdorues të të dhënave dhe qasen në regjistër sipas kompetencave të tyre ligjore, në një ambient të kontrolluar dhe të sigurt.
Regjistri Qendror i Popullsisë mundëson:
- Zvogëlimin e kostove administrative dhe burokracisë,
- Përmirësimin e saktësisë dhe qëndrueshmërisë së të dhënave,
- Thjeshtimin e proceseve për marrjen e shërbimeve publike,
- Besim më të lartë në institucionet dhe evidencat e tyre.
Të gjitha aktivitetet që lidhen me Regjistrin Qendror të Popullsisë janë në përputhje me Ligjin për Regjistrin Qendror të Popullsisë dhe Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
- Ligji për Regjistrin Qendror të Popullsisë, Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nr. 98 i vitit 2019
- Ligji për Ndryshimin e Ligjit për Regjistrin Qendror të Popullsisë, Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nr. 275 i vitit 2019
- Ligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Regjistrin Qendror të Popullsisë, Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nr. 3 i vitit 2025
- Ligji për Regjistrin Qendror të Popullsisë – Teksti i redaktuar i konsoliduar