Republika e Maqedonisë së Veriut, si vend kandidat për anëtarësim në BE, ka detyrimin të harmonizojë politikat kombëtare për zhvillimin e komunikimeve elektronike me politikat e BE-së. Në këtë drejtim, lind detyrimi për miratimin e Planit Kombëtar Operativ të Broadband-it (PKOB), i cili do të jetë në përputhje me objektivat strategjikë të iniciativës së BE-së Digital Agenda for Europe, si strategji gjithëpërfshirëse për zhvillimin e shoqërisë së informacionit që nga viti 2010, si dhe me strategjinë e BE-së Towards a European Gigabit Society for 2025 nga viti 2016.
Gjithashtu, gjatë përgatitjes së Planit Kombëtar Operativ të Broadband-it janë marrë parasysh rekomandimet dhe rregulloret e BE-së për zhvillimin e rrjeteve broadband të gjeneratës së ardhshme, rekomandimet për përdorimin e ndihmës shtetërore për zhvillimin e broadband-it, strategjia e BE-së e vitit 2018 për zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor, raportet e BE-së për zhvillimin e tregjeve broadband, raportet e institucioneve ndërkombëtare për zhvillimin e komunikimeve elektronike në rajon (Banka Botërore, etj.), si dhe raportet dhe përvojat e vendeve anëtare të BE-së në përdorimin e ndihmës shtetërore për zhvillimin e broadband-it, etj.
Plani Kombëtar Operativ i Broadband-it, si pasardhës i Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Internetit Broadband të Gjeneratës së Ardhshme, përcakton objektivat kombëtare të broadband-it që duhet të arrihen në periudhën e ardhshme dhe përcakton masat dhe aktivitetet për realizimin e tyre.