Për arritjen e objektivave të përcaktuara në Instrumentin e Reformës dhe Rritjes së Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor (2024-2027), Ministria e Transformimit Dixhital bën me dije se janë përgatitur katër projektligje.
Me miratimin e këtyre ligjeve për Maqedoninë zhbllokohen gjithsej mbi 19 milionë euro, nga të cilat mbi 5.7 milionë euro grante do të vihen në dispozicion të buxhetit të shtetit si mbështetje direkte buxhetore.
Tre prej tyre janë publikuar dhe disponohen në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Rregulloreve (ENER), ku çdo palë e interesuar, pavarësisht procesit të konsultimit të deritanishëm, mund të paraqesë mendime, komente dhe sugjerime në lidhje me projektligjet e publikuara brenda 30 ditëve nga data e publikimit.
- Ligji për Komunikimet Elektronike - Ky ligj synon të harmonizojë kuadrin ligjor kombëtar me standardet evropiane, përmes përafrimit me Kodin Evropian të Komunikimeve Elektronike 2018/1972 dhe Ligjin për Infrastrukturën Gigabit 2024/1309. Ligji do të parashikojë një përditësim të kuadrit rregullator për komunikimet elektronike, duke nxitur investimet në rrjete me shpejtësi të lartë cilësore, mbrojtjen e konsumatorit dhe promovimin e konkurrencës; do të krijojë një kornizë gjithëpërfshirëse për të mbështetur vendosjen më të shpejtë, më ekonomike dhe më të thjeshtë të rrjeteve me kapacitet shumë të lartë, të njohura si rrjete gigabit. Kjo hedh themelet për zhvillimin e një infrastrukture të fuqishme dixhitale në vend.
- Ligji për Ndryshimin e Ligjit për Dokumentet Elektronike, Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Mirëbesimit: Ky ligj parasheh harmonizimin e Ligjit për Dokumentet Elektronike, Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Mirëbesimit me Rregulloren e BE-së 2024/1183 në përputhje me Instrumentin e Reformës dhe Rritjes. Objektivi parësor i ligjit është krijimi i një sistemi të vetëm dhe të unifikuar për identitetet dixhitale në vend që do të mundësojë akses të lehtë dhe të sigurt në shërbimet publike dhe private. Kjo do të lehtësojë përdorimin e shërbimeve elektronike dhe do të rrisë transaksionet elektronike ndërmjet përdoruesve.
- Projektligji për lëndën arkivore dhe veprimtarinë arkivore - Ky ligj vendos një bazë ligjore moderne për menaxhimin e veprimtarive arkivore, duke përfshirë trajtimin elektronik të dokumenteve arkivore, e cila do të përmirësojë ruajtjen dhe efikasitetin operacional të institucioneve arkivore në vend.
Në të njëjtën kohë, Ligji për sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve informative, i cili është bazë për harmonizimin me Direktivën NIS 2 të Bashkimit Evropian, është publikuar për herë të dytë më 29.01.2025, pas së cilës është mbajtur debat publik dhe pritet të hyjë në procedurë qeveritare në gjysmën e dytë të marsit. Ligji synon të sigurojë një nivel të lartë të qëndrueshmërisë kibernetike, duke parashikuar integrimin e sigurisë kibernetike në çdo segment të transformimit dixhital.
Nëpërmjet kësaj pakete ligjesh, Ministria e Transformimit Dixhital po hedh bazat ligjore për reforma të gjithanshme, themelore dhe të prekshme në fushën e teknologjive të informacionit dhe komunikimit dhe transformimit dixhital të vendit. Zbatimi në kohë i hapave të parashikuar do të sigurojë fonde të konsiderueshme për reforma dhe zhvillim të përshpejtuar, të cilat do të përmirësojnë rritjen ekonomike dhe do ta ndihmojnë vendin në rrugën e tij drejt BE-së.