Andonovski: E kemi përmbushur atë që e kishim planifikuar për një vit – tani me punë intensive po i përshpejtojmë proceset e transformimit digjital

Andonovski: E kemi përmbushur atë që e kishim planifikuar për një vit – tani me punë intensive po i përshpejtojmë proceset e transformimit digjital

Me nder të veçantë dhe ndjenjë përgjegjësie, sot shënojmë një vit nga themelimi i Ministrisë për Transformim Digjital – një kapitull i ri, por thelbësor në sistemin politik të Maqedonisë, theksoi ndër të tjera ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, në konferencën për media me rastin e përvjetorit të parë të themelimit të ministrisë.

 

"Çfarë kemi arritur për një vit? Së pari, shërbimet u sollën te qytetarët, jo anasjelltas. Janë krijuar 120 shërbime të reja, një numër që po rritet vazhdimisht. Për këtë arsye, më shumë se 170 mijë qytetarë e kanë njohur këtë përparim", tha ministri, duke rikujtuar se tani qytetarët mund të marrin shërbime online përmes portalit uslugi.gov.mk, si dhe se me ndryshimet në ligjin për dokumente elektronike, për herë të parë, dokumente ligjërisht të vlefshme mund të merren pa praninë fizike – me nënshkrim elektronik, kod QR, në formë elektronike ose të printuar.

Ai shtoi se nuk janë harruar as qytetarët që nuk kanë qasje në mjetet digjitale ose aftësi digjitale, ndaj gjatë verës, përveç tre Qendrave të reja për Shërbime, do të hapen edhe të paktën tre të tjera.

"E kemi ndërlidhur shtetin. Përmes platformës për ndërveprim, sot mbi 70 institucione shkëmbejnë të dhëna në kohë reale. Në vend që qytetarët të bartin dokumente nga një sportel te tjetri – institucionet kanë filluar të komunikojnë në mënyrë elektronike. Po ashtu, kemi përforcuar mbrojtjen e sistemeve shtetërore. Për herë të parë pas tre vjetëve boshllëk, kemi miratuar Strategjinë Kombëtare për Siguri Kibernetike, e cila ka buxhet, plan veprimi dhe përgjegjësi të përcaktuara për të gjitha palët e përfshira", deklaroi Andonovski.

Ministri theksoi gjithashtu miratimin e katër ligjeve reformuese të harmonizuara me rregulloret e BE-së: Ligji për komunikime elektronike, Ligji i parë për siguri kibernetike, Ligji për veprimtarinë arkivore dhe Ligji për dokumente elektronike. Është formuar edhe një Sektor për Siguri Kibernetike në kuadër të së cilës do të veprojë edhe Qendra Qeveritare për Reagim ndaj Incidenteve (SOC).

Sa i përket mbrojtjes digjitale të fëmijëve dhe të rinjve, Andonovski tha se Ministria po punon në ngritjen e Qendrës Kombëtare për Internet më të Sigurt "MKSafeNet", që do të jetë sistemi i parë kombëtar i integruar i këtij lloji që e vendos sigurinë e të rinjve në botën digjitale si prioritet të rangut më të lartë.

Ai foli edhe për ndalimin e mbi 220 faqeve për bixhoz të paligjshëm online – si rezultat konkret i analizave digjitale dhe ndjekjes së adresave IP dhe mekanizmave VPN.

Në fund, ministri përmendi edhe programin Evropa Digjitale – dhe projektin më të rëndësishëm në të: INNOFEIT – Qendra Evropiane për Inovacion Digjital, që është rezultat i bashkëpunimit strategjik ndërmjet Qeverisë, komunitetit akademik (FEIT) dhe sektorit privat. Me investime mbi 60 milionë denarë, INNOFEIT është dëshmi që Maqedonia ka kapacitet jo vetëm të ndjekë, por edhe të udhëheqë proceset rajonale të digjitalizimit dhe inovacionit.

"Gjatë 12 muajve të fundit kemi treguar se me një strategji të qartë, bashkëpunim ndërinstitucional dhe mbështetje nga partnerët – mund të arrihen rezultate që përmirësojnë drejtpërdrejt shërbimin publik dhe rrisin besimin në sistemin shtetëror", përfundoi Andonovski.

Linku i konferencës për media e ministrit:

https://www.facebook.com/watch/?v=752073034181593

Accessibility Menu