Në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, ministri për transformim digjital, Stefan Andonovski, sot nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me Telekomin e Maqedonisë, në prani të kryeministrit Hristijan Mickoski. Nënshkrimi i këtij dokumenti strategjik përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt avancimit të infrastrukturës digjitale.
Andonovski theksoi se ky është një hap strategjik përpara në drejtim të transformimit digjital të shtetit dhe lehtësimit të nevojave të qytetarëve.
“Nënshkrimi i sotëm i Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Telekomit të Maqedonisë përfaqëson një hap strategjik përpara në vizionin tonë për një Maqedoni digjitale – e lidhur infrastrukturisht, teknologjikisht e avancuar dhe ekonomikisht konkurruese. Me këtë dokument e rrisim bashkëpunimin në një nivel më të lartë, nga mbështetja e deritanishme reciproke drejt një partneriteti strategjik afatgjatë me qëllime të qarta dhe përgjegjësi të përbashkëta”, theksoi Andonovski.
Ministri për transformim digjital shtoi se, përveç në infrastrukturë, do të investohet edhe në resurse njerëzore.
“Telekomi i Maqedonisë, si investitori kryesor privat në infrastrukturën digjitale dhe njëkohësisht kompani me kapital shtetëror, do t’i përkushtohet investimeve që do të sigurojnë lidhjen e 450.000 amvisërive dhe kompanive me rrjete fikse gigabit, zgjerimin e mbulimit me rrjetin 5G dhe ndërtimin e një data-centri të ri Tier 3. Por ky partneritet nuk është vetëm një investim në infrastrukturë dhe serverë, është një investim në njerëz. Brenda këtij Memorandumi janë parashikuar edhe aktivitete për edukim digjital, siguri kibernetike, mbështetje të aftësive digjitale në arsim dhe pajisje për shkollat fillore”, theksoi ministri.
“Vizionin tonë për digjitalizimin nuk e shohim si diçka që i largon institucionet nga qytetarët, por si mjet që i afron ato. Që krijon besim, parashikueshmëri dhe dinjitet në çdo përvojë administrative. Me partneritete të tilla, tregojmë se Maqedonia mund të ndërtojë një të ardhme digjitale që nuk i harron njerëzit. Përkundrazi, i vendos ata në qendër të saj”, përfundoi Andonovski.