Siguria e fëmijëve në hapësirën digjitale kërkon një qasje të qartë, sistematike dhe të përgjegjshme, deklaroi ministri Andonovski, duke theksuar se zgjidhja nuk mund të shihet vetëm në ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale, por edhe përmes edukimit të të rinjve në botën digjitale.
“Sot diskutojmë për një nga çështjet më të rëndësishme për shoqërinë tonë, sigurinë e fëmijëve në hapësirën digjitale. Kjo nuk është temë që mund të zgjidhet me aktivitete të izoluara, por kërkon qasje sistematike, rregulla të qarta dhe përgjegjësi nga të gjitha palët e përfshira”, theksoi ministri Andonovski.
Ai bëri të ditur se përmes Qendrës për internet më të sigurt – MKSafeNet tashmë po ndërtohet një qasje e strukturuar ndaj sigurisë së të rinjve në hapësirën online, ndërsa kjo qendër përfaqëson një sistem mbështetjeje për fëmijët, prindërit, mësimdhënësit dhe shkollat.
Në kuadër të kësaj qendre janë zhvilluar disa mjete dhe burime konkrete, ndër të cilat udhëzues për kontroll prindëror, udhëzues për e-siguri në shkolla, materiale edukative për mësimdhënësit, si dhe udhëzime praktike për përdorimin e zgjidhjeve për kontroll prindëror dhe cilësimeve të sigurisë.
“MKSafeNet është një hap i rëndësishëm përpara. Përmes kësaj iniciative sigurojmë burime praktike për prindërit, mësimdhënësit dhe shkollat, por gjithashtu vendosim themelet për një sistem afatgjatë të sigurisë digjitale për fëmijët”, theksoi Andonovski.
Ministri shtoi se po punohet edhe për trajnime për mësimdhënës dhe prindër, burime të përshtatura sipas moshës së fëmijëve, mekanizma këshillues për mbështetje, si dhe për krijimin e një qendre kombëtare për internet të sigurt.
Sipas tij, edukimi është i domosdoshëm, por duhet të plotësohet me rregulla të qarta në shkolla, veçanërisht sa i përket përdorimit të telefonave mobil gjatë mësimit.
“Përvoja tregon se edukimi vetë nuk është i mjaftueshëm. Ai duhet të plotësohet me rregulla të qarta, të unifikuara dhe të zbatueshme në shkolla. Qëllimi nuk është ndalimi për hir të ndalimit, por krijimi i kushteve për fokus, rend dhe mbrojtje të nxënësve”, tha ministri.
Në fjalimin e tij u hap edhe çështja e video-mbikëqyrjes në shkolla si një mekanizëm i mundshëm sigurie, ku ministri theksoi se çdo zgjidhje e tillë duhet të jetë e dizajnuar me kujdes dhe plotësisht në përputhje me rregullat për mbrojtjen e të dhënave personale.
“Nëse shqyrtohet vendosja e video-mbikëqyrjes, ajo duhet të jetë rreptësisht e rregulluar, e kufizuar në hapësira të përbashkëta, pa incizime në klasa dhe plotësisht në përputhje me standardet evropiane për privatësi. Fokusi duhet të jetë parandalimi dhe siguria, jo cenimi i privatësisë”, u shpreh Andonovski.
Ministri theksoi se kyç është një qasje e kombinuar që bashkon edukimin, rregullat e qarta për përdorimin e teknologjisë dhe mekanizmat e dizajnuar me kujdes për siguri.
“Qëllimi ynë është i qartë: shkolla ku fëmijët do të mësojnë, do të zhvillohen dhe do të ndihen të sigurt, si në hapësirën digjitale, ashtu edhe në atë fizike. Kjo debat duhet të rezultojë me masa konkrete që do të sjellin më shumë mbrojtje për nxënësit dhe më shumë siguri për prindërit”, përfundoi ministri Andonovski.