Andonovski: Digjitalizim i plotë i sistemit të lëshimit dhe kontrollit të licencave

Andonovski: Digjitalizim i plotë i sistemit të lëshimit dhe kontrollit të licencave

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, sot në një takim informues me gazetarët prezantoi sistemin SMART Licenca, i cili paraqet një tjetër hap praktik në transformimin digjital të shërbimeve publike.
Bëhet fjalë për një sistem tërësisht elektronik për lëshimin, verifikimin dhe monitorimin publik të licencave përmes një regjistri elektronik dhe kodi QR.
Siç theksoi ministri Andonovski, qëllimi i këtij sistemi është që çdo licencë e lëshuar nga një institucion të mund të verifikohet shpejt, saktë, zyrtarisht dhe pa pengesa të panevojshme administrative.
“Në vend të një dokumenti që bartet, fotokopjohet, përcillet dhe vështirë verifikohet, po vendosim një model ku ekziston një regjistër zyrtar elektronik, i lidhur me një kod QR dhe me një regjistër elektronik që tregon gjendjen e saktë aktuale”, tha Andonovski.
SMART Licenca nuk është vetëm një zëvendësim elektronik i dokumentit të shtypur, por pjesë e një sistemi të ri që përfshin aplikim elektronik, përpunim elektronik, regjistër elektronik, verifikim përmes QR kodit dhe gjurmueshmëri të plotë të procedurës. Me një skanim të vetëm do të mund të kontrollohet statusi zyrtar i licencës, nëse është e vlefshme, e skaduar, e pezulluar, e shfuqizuar ose në procedurë.
Projekti i parë pilot tashmë është implementuar në Ministrinë e Transformimit Digjital, për ofruesit e shërbimeve të kualifikuara të besueshme. Bëhet fjalë për shërbime me rëndësi të veçantë për ekonominë digjitale dhe sigurinë juridike në veprimtarinë elektronike, si certifikatat e kualifikuara për nënshkrim elektronik, vulë elektronike, autenticitet të faqeve të internetit, vula kohore elektronike, dërgesa elektronike të rekomanduara, validim dhe ruajtje elektronike të dokumenteve.
Procesi është plotësisht i strukturuar dhe i lehtë për t’u ndjekur. Personi juridik identifikohet në Portalin Kombëtar për e-Shërbime, zgjedh llojin e shërbimit të kualifikuar të besueshëm, plotëson kërkesën elektronike dhe ngarkon dokumentacionin e nevojshëm. Një pjesë e të dhënave merren automatikisht aty ku është e mundur, ndërsa pjesa tjetër plotësohet dhe validohet gjatë procesit.
Pas dorëzimit të kërkesës, sistemi gjeneron një identifikues unik dhe numër arkivor, duke siguruar gjurmueshmëri të qartë të çdo lënde – nga momenti i aplikimit, përmes përpunimit, deri te përgjigjja përfundimtare. Subjekti mund ta ndjekë lëndën përmes kutisë së tij elektronike në portal, ndërsa përgjigjja merret në formë dokumenti elektronik: vendim për miratim, vendim për refuzim ose vendim për kërkesë jo të plotë.
Kur licenca miratohet, ajo shfaqet në regjistrin elektronik me statusin “e vlefshme” dhe me mundësi verifikimi përmes kodit QR. Kodi QR nuk çon vetëm te një kopje e dokumentit, por te verifikimi zyrtar i statusit në regjistër. Kjo do të thotë se qytetari, kompania, inspektori apo institucioni tjetër kontrollon gjendjen aktuale në momentin e verifikimit, dhe jo një kopje të vjetër, një PDF të dërguar apo një dokument të vjetruar.
“Kjo krijon më shumë besim. Nëse licenca është e vlefshme – kjo shihet publikisht. Nëse është shfuqizuar, ka skaduar ose është pezulluar – edhe kjo duhet të jetë e dukshme përmes verifikimit. Në këtë mënyrë mbrohen qytetarët, mbrohen kompanitë që punojnë sipas ligjit dhe institucionet fitojnë kontroll më efikas”, theksoi Andonovski.
Me SMART Licencat, qytetarët fitojnë mundësinë që të verifikojnë një licencë brenda pak sekondash, kompanitë përfitojnë më shumë besim në qarkullimin juridik, më pak subjektivitet nga administrata dhe më pak pritje në procedurat administrative, ndërsa institucionet fitojnë një regjistër elektronik të qasshëm në kohë reale, me më pak letër, më pak kërkesa për vërtetime dhe kontroll më të mirë inspektues e publik.
Andonovski theksoi se ky model nuk duhet të mbetet i kufizuar vetëm në Ministrinë e Transformimit Digjital, por mund të zbatohet edhe në fusha të tjera, si hoteleria dhe gastronomia, transporti, logjistika, sigurimet, hoteleria, gjyqësori, mjedisi jetësor, urbanizmi dhe lejet e ndërtimit.
“Kudo ku ekziston një licencë, leje apo autorizim që publiku duhet të ketë mundësi ta verifikojë, mund të ekzistojë edhe SMART Licenca”, deklaroi Andonovski.
Në fazë të avancuar zhvillimi dhe testimi janë edhe licencat e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, që kanë të bëjnë me klubet e natës, diskotekat, kabaretë, baret dhe hotelet, ndërsa pritet që testimi të përfundojë deri në fund të muajit qershor.
“Qëllimi ynë është që shteti të mos kërkojë më nga qytetarët dhe kompanitë të jenë korrierë të dokumenteve. Shteti duhet të sigurojë që të dhënat të jenë të sakta, të qasshme, të verifikueshme dhe të sigurta”, tha ministri Andonovski.
SMART Licencat janë një shembull konkret se si digjitalizimi sjell vlerë reale: më pak letër, më pak burokraci, më shumë besim, verifikim më të shpejtë dhe llogaridhënie më të madhe. Ministria e Transformimit Digjital vazhdon zhvillimin e shërbimeve publike që janë të thjeshta për përdorim, juridikisht të vlefshme, të sigurta dhe të verifikueshme në çdo moment.

Accessibility Menu