Andonovski në Paris: Ballkani të trajtohet si çështje e parashikueshmërisë strategjike, kërcënimet kibernetike janë të përbashkëta

Andonovski në Paris: Ballkani të trajtohet si çështje e parashikueshmërisë strategjike, kërcënimet kibernetike janë të përbashkëta

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, mori pjesë sot në një tryezë të rrumbullakët në Senatin Francez, në kuadër të Samitit Kibernetik të Parisit 2026, kushtuar ndërtimit të kapaciteteve kibernetike në vendet e Ballkanit Perëndimor përballë kërcënimeve të vazhdueshme dhe gjithnjë e më komplekse.

Ngjarja, e mbajtur në Pallatin e Luksemburgut në Paris, mblodhi përfaqësues të vendeve të rajonit, partnerë francezë dhe përfaqësues të Western Balkans Cyber Capacity Centre (WB3C), me qëllim thellimin e dialogut për rezistencën kibernetike, bashkëpunimin rajonal, interoperabilitetin dhe harmonizimin me standardet evropiane dhe euroatlantike të sigurisë.

Në fjalimin e tij, ministri Andonovski theksoi se siguria kibernetike sot nuk është vetëm një çështje teknike, por një çështje e rezistencës kombëtare, stabilitetit demokratik, mbrojtjes së infrastrukturës kritike dhe besimit në shtetin digjital.

“Republika e Maqedonisë e sheh rezistencën kibernetike si pjesë përbërëse të sigurisë evropiane dhe rezistencës demokratike. Si aleate e NATO-s dhe vend me orientim të qartë euroatlantik, ne i qasemi sigurisë kibernetike përmes tre perspektivave paralele: harmonizimit të sigurisë me NATO-n, harmonizimit me acquis-in evropian dhe objektivat e Dekadës Digjitale, si dhe nevojës që harmonizimi strategjik të shndërrohet në kapacitet real operacional”, theksoi Andonovski.

Ai nënvizoi se Maqedonia ka arritur përparim të konsiderueshëm në harmonizimin legjislativ dhe institucional, përmes miratimit të Ligjit të ri për sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve informative, të harmonizuar me parimet e NIS2, miratimit të Strategjisë Kombëtare për Siguri Kibernetike, forcimit të koordinimit institucional dhe intensifikimit të punës për interoperabilitetin, shërbimet e sigurta digjitale dhe infrastrukturën publike digjitale.

Andonovski theksoi se Maqedonia po investon mjete të konsiderueshme në ndërtimin e Qendrës Qeveritare për Reagim ndaj Incidenteve Kibernetike MKD-GOV-CSIRT, në sisteme mbrojtëse, infrastrukturë të sigurt dhe ndërlidhje ndërinstitucionale, me fonde nga buxheti kombëtar dhe me mbështetjen e partnerëve strategjikë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ministri foli edhe për kompleksitetin në rritje të kërcënimeve, duke theksuar se incidentet kibernetike gjithnjë e më shpesh lidhen me presionin hibrid, dezinformimin, shtrëngimin ekonomik dhe sulmet ndaj besimit në institucione. 

Ai shtoi se infrastruktura kritike sot nuk përfshin vetëm sektorët e energjisë dhe telekomunikacionit, por edhe administratën publike, sistemet shëndetësore, platformat arsimore dhe shërbimet publike digjitale.
“Kërcënimi nuk është vetëm prishja e sistemeve, por prishja e besimit — besimit në institucione, në shërbimet digjitale dhe në proceset demokratike”, tha ministri.

Gjatë diskutimit u theksua nevoja për një qasje më të fuqishme të Bashkimit Evropian në financimin e infrastrukturës kibernetike në rajon, veçanërisht përmes instrumenteve mbështetëse për Ballkanin Perëndimor. Andonovski vlerësoi se siguria kibernetike duhet të njihet qartë si fushë prioritare për investime, pasi rezistenca e rajonit lidhet drejtpërdrejt me rezistencën e hapësirës më të gjerë digjitale evropiane.

Vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit rajonal. Andonovski theksoi se kërcënimet kibernetike nuk ndalen në kufij dhe se administratat më të vogla nuk mund të ndërtojnë rezistencë në izolim.

“Për Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi operacional rajonal nuk është luks, por shumëfishues force. Na duhen pika të përhershme kontakti të besueshme, ushtrime të rregullta të përbashkëta kibernetike, shkëmbim i strukturuar informacioni dhe integrim më i fortë me mekanizmat e BE-së dhe NATO-s”, deklaroi ministri.

Ai shtoi se Franca, Bashkimi Evropian, aleatët e NATO-s dhe partnerët transatlantikë kanë rol kyç në ndërtimin e mekanizmave rajonalë për besim, shkëmbim informacioni, trajnime dhe ushtrime të përbashkëta.

Accessibility Menu