Qeveria po investon në forcimin e sigurisë kibernetike përmes krijimit të një qendre të re qeveritare për reagim ndaj incidenteve kibernetike, njoftoi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski.
“Po hapim një qendër qeveritare për incidente kibernetike, përmes së cilës në kohë reale do të mund të ndjekim çfarë po ndodh në fushën e sigurisë kibernetike dhe të reagojmë në kohë ndaj kërcënimeve potenciale”, theksoi ministri Andonovski.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje për rëndësinë e sesionit të dytë të Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili do të mbahet javën e ardhshme në Uashington dhe ku pjesë e delegacionit maqedonas do të jetë edhe ministri Andonovski, ai theksoi se bëhet fjalë për një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm diplomatik dhe strategjik për shtetin.
“Ne do të jemi i vetmi shtet evropian që këtë vit do të mbajë sesionin e dytë të Dialogut Strategjik. Mund të them se tashmë kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushat që unë mbuloj, siç janë digjitalizimi dhe siguria kibernetike. Gjatë vizitës sime në janar, në nivelin më të lartë në Departamentin e Shtetit, diskutuam për çështje që lidhen me bashkëpunimin me Maqedoninë, sfidat në sigurinë kibernetike, infrastrukturën digjitale dhe shkëmbimin e informatave për rreziqet potenciale në hapësirën kibernetike. Pres që nga ky Dialog Strategjik të dalin pika konkrete që do të nënkuptojnë përmirësim të mundësive për qytetarët e Maqedonisë, për ekonominë e Maqedonisë, si dhe për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve, me përfitime shumë konkrete për të dyja palët”, deklaroi Andonovski.
Ministri theksoi se sulmet kibernetike sot po përdoren gjithnjë e më shpesh si mjet për zhvillimin e luftërave asimetrike, si nga aktorë shtetërorë, ashtu edhe nga ata joshtetërorë. Kjo, sipas tij, nënkupton sulme të synuara në hapësirën kibernetike ndaj infrastrukturës kritike, e cila nuk përfshin vetëm sektorin civil, por edhe atë shëndetësor, arsimor dhe fusha të tjera kyçe.
“Me mjete nga Bashkimi Evropian dhe me bashkëfinancim nacional, kemi investuar rreth 1.5 milionë euro në qendrën e re qeveritare për reagim ndaj incidenteve kibernetike, e cila së shpejti do të hapet. Qendra do të mundësojë monitorim në kohë reale dhe reagim të shpejtë e të koordinuar ndaj sulmeve kibernetike”, tha Andonovski.
Me këtë qendër, siç paralajmëroi ministri, institucionet do të fitojnë kapacitet më të fortë dhe më efikas për përballimin e kërcënimeve dhe incidenteve kibernetike, të cilat vitet e fundit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më të sofistikuara.
Në paraqitjen e tij, ministri Andonovski foli edhe për Arkivin Elektronik dhe menaxhimin e dokumenteve (eDMS), si dhe për shërbimet e reja elektronike në Portalin Kombëtar të Shërbimeve, të cilat synojnë të lehtësojnë përditshmërinë e qytetarëve, të rrisin efikasitetin e institucioneve dhe të kontribuojnë për shërbime publike më të shpejta, më të thjeshta dhe më të qasshme.