Andonovski nga Dialogu Strategjik me SHBA-të: Thellim i bashkëpunimit në sigurinë kibernetike dhe infrastrukturën digjitale

Andonovski nga Dialogu Strategjik me SHBA-të: Thellim i bashkëpunimit në sigurinë kibernetike dhe infrastrukturën digjitale

Ministri i Transformimit Digjital është pjesë e delegacionit qeveritar në Dialogun Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Uashington. Sipas Andonovskit, kjo paraqet një hap të rëndësishëm në avancimin e bashkëpunimit dypalësh, me fokus të veçantë në transformimin digjital dhe sigurinë kibernetike.

Në kuadër të dialogut, Andonovski udhëheq sesionin që ka të bëjë me forcimin e mëtejshëm të partneritetit në fushën e sigurisë kibernetike, përmes mbështetjes për zhvillimin e kapaciteteve institucionale, vlerësimit dhe përmirësimit të mbrojtjes së infrastrukturës kritike digjitale, si dhe bashkëpunimit të mëtejshëm me partnerë të besueshëm ndërkombëtarë.

Sipas informacioneve nga Dialogu Strategjik, parashihet bashkëpunim i thelluar ekspert dhe teknik me institucionet relevante amerikane, me qëllim përmirësimin e kapaciteteve kombëtare për parandalim, zbulim dhe reagim ndaj kërcënimeve kibernetike, si dhe mbështetje në proceset e planifikimit strategjik dhe modernizimit të sistemeve të sigurisë.

Andonovski deklaroi se në kuadër të partneritetit po shqyrtohen mundësitë për mbështetje në zhvillimin e kapaciteteve të avancuara kibernetike dhe forcimin e mbrojtjes së sistemeve kyçe shtetërore, përmes trajnimeve, pajisjeve dhe shkëmbimit të ekspertizës.

“Ky bashkëpunim është në përputhje të plotë me prioritetet strategjike të Qeverisë dhe Ministrisë për Transformim Digjital, përfshirë edhe zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Siguri Kibernetike 2025–2028, si dhe harmonizimin me standardet dhe direktivat evropiane”, deklaroi Andonovski pas sesionit.

Ministria për Transformim Digjital mbetet e përkushtuar në ndërtimin e një infrastrukture digjitale të sigurt, rezistente dhe të besueshme, si parakusht për shërbime publike efikase, mbrojtjen e institucioneve dhe rritjen e besimit të qytetarëve.

“Partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës përfaqëson një shtyllë të rëndësishme në avancimin e qëndrueshmërisë kombëtare digjitale dhe kibernetike, si dhe mbështetje të fortë për proceset reformuese në këtë fushë”, përfundoi Andonovski.

Accessibility Menu