Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, së bashku me Kryeministrin Hristijan Mickoski, iu drejtuan konferencës për promovimin e Strategjisë Kombëtare të TIK-ut SMART/MK 2030, duke theksuar se transformimi digjital realizohet përmes zgjidhjeve konkrete dhe të matshme që përmirësojnë drejtpërdrejt përditshmërinë e qytetarëve.
“Transformimi digjital duhet të jetë i qasshëm për të gjithë, pavarësisht aftësive digjitale apo qasjes në pajisje personale,” theksoi ministri Andonovski.
Në fokus të fjalimit ishin dy projekte kyçe:
- Terminalet e shërbimeve (e-Kiosk)
- e-Kutia – kanali zyrtar digjital me shtetin
Sot u promovuan Terminalet e Shërbimeve (e-Kiosk), si një zgjidhje praktike për përfshirje digjitale dhe qasje më të shpejtë në shërbime. Plani është që terminalet të vendosen në lokacione frekuentuese në të gjithë vendin dhe të jenë të disponueshme 24/7, me proces të udhëzuar qartë dhe udhëzime vizuale, të përshtatura edhe për qytetarët me nivel më të ulët të aftësive digjitale.
Përmes e-Kiosk, qytetarët do të mund të identifikohen me letërnjoftim ose pasaportë, të zgjedhin shërbimin, të kryejnë pagesën dhe ta marrin dokumentin menjëherë – të shtypur në vetë terminalin. Terminalet janë veçanërisht të rëndësishme për zonat rurale, personat e moshuar, qytetarët pa qasje të përhershme në internet dhe komunat me kapacitete administrative të kufizuara.
Sa i përket e-Kutisë, ministri theksoi se ajo përfaqëson një kanal zyrtar, të sigurt dhe juridikisht të vlefshëm për komunikim ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve – një vend i centralizuar për pranimin e dokumenteve zyrtare, vendimeve, njoftimeve dhe akteve të tjera me dëshmi pranimi.
Andonovski theksoi se e-Kutia nuk është një e-mail i zakonshëm: sistemi mundëson njoftime në kohë reale, dorëzim më të shpejtë pa pritje, ndjekje të statusit të lëndëve dhe komunikim administrativ më efikas.
Në pjesën përmbyllëse, ministri nënvizoi se me digjitalizimin e deritanishëm të shërbimeve, sistemin e menaxhimit të dokumenteve në një numër të madh institucionesh, interoperabilitetin, si dhe me Terminalet e Shërbimeve dhe e-Kutinë, shteti po zbaton në mënyrë konkrete dhe të matshme transformimin digjital – me qëllim një shtet digjital efikas, të qasshëm dhe evropian.