THIRRJE PËR APLIKIME

Ministria e transformimit dixhital Ministria e transformimit dixhital

Ministria e Transformimit Digjital informon se është hapur thirrja DIGITAL-2026-AI-09-GENAI-PA – Apply AI: GenAI for the Public Administrations, në kuadër të Programit “Evropa Digjitale”, me 100% financim nga Bashkimi Evropian.

Qëllimi i kësaj thirrjeje është koordinimi dhe mbështetja e projekteve pilot për zbatimin e inteligjencës artificiale gjenerative (GenAI), të integruara plotësisht në proceset operative të punës dhe sistemet IT të administratave publike, me fokus të qartë në shkallëzueshmërinë e tyre dhe mundësinë e replikimit në kontekste të ndryshme institucionale dhe kombëtare.

Përmes kësaj thirrjeje do të mbështetet krijimi i një veprimi koordinues dhe mbështetës (Coordination and Support Action – CSA), i cili do të mundësojë avancimin e zgjidhjeve të suksesshme evropiane të GenAI përmes zhvillimit të mjeteve praktike për zgjerimin dhe ripërdorimin e tyre, si: udhëzues për zbatim, dokumentacion teknik, depo (repositorë) për vlerësimin e replikueshmërisë, programe trajnimi dhe shkëmbimi njohurish, si dhe krijimin e një komuniteti praktikash në nivel evropian. Parashihet gjithashtu krijimi i një helpdesk-u, i cili do të ofrojë mbështetje teknike, organizative dhe ligjore, përfshirë edhe fushën e prokurimeve publike, për administratat publike të interesuara për futjen e zgjidhjeve GenAI.

Thirrja synon gjithashtu të identifikojë nevojat e përbashkëta të administratave publike për zgjidhje evropiane GenAI, duke mundësuar bashkimin e kërkesës në nivel të Bashkimit Evropian dhe krijimin e kushteve për dukshmëri dhe përfshirje më të madhe të startupeve evropiane dhe kompanive inovative. Përmes këtyre aktiviteteve do të forcohet bashkëpunimi ndër-shtetëror dhe do të vendosen themelet për një komunitet evropian të qëndrueshëm të inteligjencës artificiale gjenerative në sektorin publik, i bazuar në shkëmbimin e njohurive, mësimin e përbashkët dhe ndërtimin e besimit në zgjidhjet teknologjike evropiane.

Të drejtë pjesëmarrjeje kanë konsorciume të përbëra nga të paktën tre organizata të pavarura nga tri vende të ndryshme anëtare të Bashkimit Evropian ose vende të asociuara me Programin “Evropa Digjitale”. Si aplikantë potencialë përmenden institucione publike në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal, universitete dhe institucione kërkimore, institucione arsimore dhe trajnuese, ndërmarrje të vogla dhe të mesme, kompani private, si dhe organizata joqeveritare dhe të shoqërisë civile aktive në fushën e teknologjive digjitale.

Buxheti i thirrjes është 1.800.000 euro, me 100% normë financimi nga Bashkimi Evropian, ndërsa projekti do të zbatohet në një periudhë prej 36 muajsh.

Thirrja është hapur më 4 nëntor 2025, me afat të fundit për dorëzimin e aplikimeve më 3 mars 2026, deri në ora 17:00, përmes sistemit elektronik Funding & Tenders Portal të Komisionit Evropian.

Për informacione shtesë dhe mbështetje në përgatitjen e aplikimeve, institucionet e interesuara mund të kontaktojnë në adresat elektronike:
Ljupka.trninkova@mdt.gov.mk ; digital.europe@mdt.gov.mk

Linku i thirrjes: EU Funding & Tenders Portal

Ministria e Transformimit Digjital

 

Accessibility Menu