Stefan Andonovski: Investimi në parqet teknologjike është investim në ide, talent dhe të ardhmen

Stefan Andonovski: Investimi në parqet teknologjike është investim në ide, talent dhe të ardhmen

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, mori pjesë në hapjen e parkut të parë teknologjik në Maqedonin e Veriut — N99 Deep Tech Park, një hapësirë që synon të lidhë teknologjinë, inovacionin, shkencën, komunitetin e startupeve dhe institucionet në një ekosistem të përbashkët zhvillimi.

N99 Deep Tech Park është konceptuar si një qendër moderne për nxitjen e një revolucioni të ri teknologjik, me fokus në inteligjencën artificiale, deep tech, robotikë, siguri kibernetike dhe zbatimin praktik të inovacioneve. Parku pritet të jetë një vend ku studentët, hulumtuesit, sipërmarrësit, kompanitë dhe institucionet do të mund të bashkëpunojnë, të zhvillojnë zgjidhje dhe të krijojnë teknologji me vlerë vendore dhe potencial global.

Në fjalimin e tij, ministri Andonovski theksoi se hapja e një hapësire të tillë është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e ekosistemit teknologjik dhe inovativ.

“Në një kohë kur shtetet garojnë përmes dijes, inovacioneve dhe kapaciteteve teknologjike, krijimi i hapësirave të tilla është shumë më tepër se një investim në infrastrukturë. Ky është investim në ide, talent dhe të ardhmen. Ajo që më inkurajon veçanërisht është se kjo iniciativë udhëhiqet nga vizioni dhe sipërmarrja vendore”, deklaroi ministri Andonovski.

Ai theksoi se iniciativa të tilla janë të rëndësishme për krijimin e një mjedisi ku kompanitë teknologjike do të mund të rriten, startupet të zhvillohen, ndërsa të rinjtë dhe talentet do të kenë mundësi që idetë e tyre t’i realizojnë në vend.

Hapja e N99 Deep Tech Park është pjesë e kornizës më të gjerë strategjike të Ministrisë së Transformimit Digjital për ndërtimin e një shteti digjital modern, inovativ dhe të sigurt. Projekte të tilla janë në përputhje me prioritetet e Strategjisë Kombëtare ICT të Ministrisë së Transformimit Digjital — SMART/MK, si dhe me Strategjinë për Siguri Kibernetike 2025–2028, përmes të cilave përcaktohen drejtimet për zhvillimin e ekonomisë digjitale, forcimin e kapaciteteve teknologjike, mbështetjen e inovacioneve dhe krijimin e një mjedisi të sigurt digjital.

Accessibility Menu