Andonovski në Dialogun Global në Budapest 2026: Bashkëpunimi strategjik është kyç për ndërtimin e sistemeve rezistente në botën digjitale

Andonovski në Dialogun Global në Budapest 2026: Bashkëpunimi strategjik është kyç për ndërtimin e sistemeve rezistente në botën digjitale

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, një nga folësit kryesorë në Budapest Global Dialogue 2026, theksoi se bashkëpunimi strategjik ndërmjet shteteve dhe partnerëve është thelbësor për ndërtimin e institucioneve rezistente, demokracive të qëndrueshme dhe infrastrukturës digjitale të sigurt, në kushtet e rritjes së sfidave globale.

Ngjarja nisi me një fjalë hyrëse nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë i Republikës së Hungarisë, Péter Szijjártó, pas së cilës u zhvilluan panele të nivelit të lartë kushtuar sigurisë globale, ndryshimeve gjeopolitike dhe transformimit digjital.

Në fjalimin e tij, ministri Andonovski theksoi se bota ndodhet në një periudhë ndryshimesh të thella dhe komplekse.

“Sot përballemi me një rend ndërkombëtar që është nën presion nga shumë fronte – ushtarake, financiare dhe demografike. Multipolariteti nuk është më temë diskutimi, por një realitet që duhet ta menaxhojmë me përgjegjësi”, theksoi Andonovski.

Ai paralajmëroi se sulmet kibernetike ndaj infrastrukturës kritike nuk janë kërcënim virtual, por rrezik real me pasoja të drejtpërdrejta për shtetet dhe jetën e përditshme të qytetarëve.

“Kur spitalet, rrjetet energjetike, sistemet e furnizimit me ujë apo infrastruktura financiare bëhen objekt i sulmeve kibernetike, pasojat janë thellësisht reale – jetë të trazuara, institucione të dobësuara dhe rrezik i shtuar për përshkallëzim”, tha ministri.

Andonovski foli edhe për rreziqet nga dezinformatat dhe varësitë teknologjike:

“Kur dezinformatat shkatërrojnë besimin publik, demokracitë funksionojnë më vështirë dhe shoqëritë humbin kohezionin. Kur zinxhirët e furnizimit me teknologji kritike shndërrohen në mjet presioni, atëherë sovraniteti bëhet i kushtëzuar.”

Nga perspektiva e Republikës ë Maqedonisë së Veriut, si anëtare e NATO-s dhe shtet me orientim të qartë euroatlantik, ministri theksoi se rezistenca e shteteve është themeli i çdo partneriteti të suksesshëm.

“Ne jemi një shtet i vogël, por ndodhemi në kryqëzimin e rajoneve, tregjeve dhe interesave strategjike. E dimë se aleancat janë kyçe, por gjithashtu e dimë se forca e çdo aleance varet nga rezistenca e secilit anëtar”, theksoi Andonovski.

Ai nënvizoi se siguria kibernetike duhet të trajtohet si siguri kombëtare, e jo si formalitet teknik.

“Siguria kibernetike nuk guxon të shtohet në fund të projekteve. Ajo duhet të jetë e integruar në mënyrën se si funksionojnë qeveritë, si prokurohet infrastruktura, si ofrohen shërbimet publike dhe si menaxhohen krizat.”

Në pjesën e dytë të fjalimit, ministri Andonovski u ndal te rëndësia e transformimit digjital për forcimin e besimit publik.

“Transformimi digjital duhet ta bëjë shtetin më transparent, më të qasshëm dhe më të përgjegjshëm. Kur qytetarët marrin shërbime efikase, ndërsa bizneset veprojnë në një mjedis të parashikueshëm dhe të sigurt, atëherë forcohet kontrata shoqërore mes shtetit dhe qytetarëve.”

Ministri theksoi se bashkëpunimi strategjik duhet të jetë konkret dhe operacional:

“Kjo nënkupton luftë të përbashkët kundër krimit kibernetik, mashtrimeve dhe ransomuerit, ndarjen e praktikave më të mira, ndërtimin e mekanizmave për reagim të shpejtë ndaj incidenteve dhe forcimin e normave që ulin rrezikun e vlerësimeve të gabuara dhe përshkallëzimit.”

Në kuadër të vizitës së tij në Budapest, ministri Andonovski do të zhvillojë disa takime bilaterale me përfaqësues të lartë qeveritarë, si dhe një vizitë në Ministrinë e Energjisë të Republikës së Hungarisë, ku do të diskutohen mundësitë për avancimin e bashkëpunimit në fushën e transformimit digjital, sigurisë kibernetike dhe ndërlidhjes së sistemeve energjetike dhe digjitale.

Accessibility Menu