Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e nisi me një takim pune me MITRE Corporation, një nga institucionet më me ndikim dhe më të besueshme që prej dekadash punon drejtpërdrejt për Qeverinë e SHBA-së në fushën e sigurisë kibernetike dhe menaxhon disa qendra FFRDC (Federally Funded Research and Development Centers).
Në takim u diskutuan tema kyçe për shtetin modern dhe zhvillimin e një infrastrukture digjitale të sigurt, mes të cilave: inteligjenca artificiale dhe teknologjitë e reja me fokus në besueshmëri dhe validim; siguria kibernetike dhe rezistenca kombëtare kibernetike për mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe platformave shtetërore; qeverisja digjitale dhe menaxhimi i të dhënave për pjekuri institucionale digjitale dhe interoperabilitet; si dhe fusha me standarde të larta sigurie – aviacioni, siguria dhe sistemi shëndetësor.
Takimi përfshiu bisedime me Beth Meinert (nënkryetare e lartë dhe drejtore e përgjithshme), si dhe me Yosry Barsoum dhe Shamik Das nga MITRE Corporation. Diskutimi u përqendrua në mënyrën se si ndërtohet besimi në shtetin digjital, si vendosen rregulla të qarta për përgjegjësi dhe siguri, dhe si institucionet mund të marrin vendime më të mira të bazuara në të dhëna, standarde dhe rezultate të matshme. Ministri Andonovski pati gjithashtu mundësinë të vizitojë qendrën inovative kërkimore të MITRE.
Në kuadër të vizitës, ministri Andonovski, së bashku me delegacionin qeveritar të përbërë nga Igor Janushev, Sekretar i Përgjithshëm i Qeverisë, dhe Zlatko Perinski, Ministër i Vetëqeverisjes Lokale, realizuan takim edhe me përfaqësues të Microsoft. Ata zhvilluan bisedime me Kozzeta Garrett, menaxhere gjenerale për shërbime Cyber Security në Microsoft, lidhur me sfidat aktuale dhe mundësitë për avancimin e sigurisë kibernetike, forcimin e rezistencës së sistemeve publike dhe mbështetjen e transformimit digjital.
Delegacioni në SHBA do të marrë pjesë edhe në Mëngjesin e Lutjeve, si pjesë e agjendës zyrtare të vizitës.