Transformimi digjital dhe inteligjenca artificiale ishin në fokus të fjalimit të ministrit Stefan Andonovski në ngjarjen “Youth Empowered Pivara Shkup – Akademia për të rinj”, një platformë edukative falas e orientuar drejt avancimit të njohurive dhe aftësive të të rinjve.
Ministri Andonovski u ndal te përpjekjet e vazhdueshme dhe të fuqishme për transformim digjital, me qëllim që të rinjve t’u mundësohet qasje e papenguar në teknologjinë moderne.
“Si Qeveri, të gjithë studentëve në studimet deridiplomike nga universitetet publike dhe private u kemi mundësuar vauçer për pajisje IT në vlerë prej 15.300 denarësh; Me mbi 90 milionë denarë e kemi mbështetur Universitetin Kirili dhe Metodi përmes FINKI-t si bartës i projektit ‘Vezilka’, qendra për inteligjencë artificiale në gjuhën maqedonase, e cila është në fazën përfundimtare të nënshkrimit të marrëveshjes me BE-në; E kemi digjitalizuar paketën e shërbimeve të Entit Shtetëror të Statistikës, me çka studentët do të mund që dokumentet në letër që i plotësojnë çdo semestër, tani t’i realizojnë në mënyrë elektronike përmes Portalit Kombëtar të Shërbimeve”, theksoi Andonovski.
Ministri gjithashtu theksoi aktivitetet në drejtim të zvogëlimit të hendekut digjital, përmes sigurimit të pikave wifi nëpër fakultete, duke bërë që të gjithë studentët tani të kenë mundësi për qasje falas në internet.