Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, sot u drejtua në një ngjarje në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip, me të cilën u shënua fillimi i një projekti të rëndësishëm në fushën e sigurisë kibernetike, që lidh komunitetin akademik, institucionet dhe partnerët ndërkombëtarë.
Në fjalimin e tij, ministri Andonovski theksoi se transformimi digjital nuk nënkupton vetëm futjen e teknologjive dhe shërbimeve të reja, por edhe krijimin e një shteti digjital të sigurt, rezistent dhe të besueshëm.
“Ngjarja e sotme ka një mesazh më të gjerë: se Maqedonia nuk pret të reagojë kur të ndodhë problemi, por ndërton në mënyrë proaktive një sistem. Një sistem që do të jetë evropian sipas standardeve, kombëtar sipas përgjegjësisë dhe partner sipas qasjes”, tha Andonovski.
Ministri theksoi se siguria kibernetike është vendosur si një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Transformimit Digjital, duke rikujtuar hapat kyç të ndërmarrë në periudhën e kaluar: miratimin e Strategjisë Kombëtare për Siguri Kibernetike 2025–2028, vendosjen e kornizës ligjore të harmonizuar me direktivën NIS 2 të Bashkimit Evropian, formimin e Sektorit për Siguri Kibernetike brenda Ministrisë, si dhe hapjen e Qendrës Qeveritare për Reagim ndaj Incidenteve Kibernetike – MKD GOV CIRT.
Andonovski theksoi se qëndrueshmëria afatgjatë kibernetike nuk mund të ndërtohet vetëm përmes strategjive, ligjeve dhe institucioneve, por përmes njerëzve, dijes, ushtrimeve, besimit dhe partneriteteve. Në këtë drejtim, ai nënvizoi rëndësinë e institucioneve akademike dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Nëse duam siguri kibernetike afatgjatë, duhet të investojmë jo vetëm në teknologji, por edhe në kuadro”, theksoi ministri.
Ai shtoi se me këtë projekt Universiteti “Goce Dellçev” bëhet një qendër rajonale për trajnim dhe certifikim të profesionistëve të sigurisë kibernetike, që paraqet një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e një prej profesioneve kyçe të së ardhmes.
Ministria e Transformimit Digjital mbetet e përkushtuar fuqishëm në ndërtimin e politikave, institucioneve dhe partneriteteve që do të sigurojnë që Maqedonia të jetë jo vetëm digjitale, por edhe e sigurt, rezistente dhe e gatshme për të ardhmen.