Andonovski: Shërbime të reja elektronike nga FSSH dhe lidhje me Regjistrin Qendror të Popullsisë: më pak sportele, më shumë zgjidhje digjitale për qytetarët dhe kompanitë

Andonovski: Shërbime të reja elektronike nga FSSH dhe lidhje me Regjistrin Qendror të Popullsisë: më pak sportele, më shumë zgjidhje digjitale për qytetarët dhe kompanitë

Ministria e Transformimit Digjital dhe Fondi i Sigurimit Shëndetësor shënuan fillimin e një bashkëpunimi intensiv me rezultate konkrete – vendosjen e shërbimeve të reja elektronike në fushën e sigurimit shëndetësor dhe lidhjen teknike të FSSH-së me Regjistrin Qendror të Popullsisë (RQP), me ç’rast thjeshtohen procedurat dhe ulet barra administrative për qytetarët dhe bizneset.

Në konferencën e sotme për media, ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, theksoi se qëllimi i Ministrisë është i qartë: “shërbimet publike të jenë të qasshme, të ndërlidhura dhe të orientuara drejt nevojave të qytetarëve dhe bizneseve”.

Ministri nënvizoi se bëhet fjalë për shërbime “të cilat drejtpërdrejt e thjeshtojnë qasjen në dokumente të rëndësishme, e ulin barrën administrative dhe e eliminojnë pritjen e panevojshme dhe praninë fizike në sportele”.

Për personat juridikë, për herë të parë është mundësuar shërbimi elektronik për:

  • Lëshimin e vërtetimit për kontribut të paguar për sigurim të detyrueshëm
  • shëndetësor (tërësisht digjital, i qasshëm në çdo kohë).

Për personat fizikë, janë vendosur këto e-shërbime:

  • Vërtetim për paraqitje dhe çregjistrime në sigurimin e detyrueshëm shëndetësor,
  • Vërtetim për person të siguruar ose të pasiguruar dhe për kontribut të paguar,
  • Vërtetim për kompensim të pagës të paguar gjatë paaftësisë së përkohshme për punë.

“Këto shërbime janë vetëm fillimi i një transformimi sistemor digjital, e jo zgjidhje teknike të izoluara,” potencoi ministri Andonovski.

Theks i veçantë iu kushtua vendosjes së identifikimit unik: “Përdoruesit e portalit të Fondit të Sigurimit Shëndetësor automatikisht përfshihen në sistemin e identifikimit unik – SSO,” tha Andonovski, duke shtuar se “qytetarët fitojnë mundësinë që me një profil të vetëm përdoruesi të lëvizin dhe të shfrytëzojnë pa pengesa shërbimet e portaleve të ndryshme institucionale, pa u kyçur sërish dhe pa barriera shtesë administrative.”

Nga sot, FSSH është edhe teknikisht i lidhur me Regjistrin Qendror të Popullsisë (RQP), çka mundëson marrjen automatike të të dhënave relevante për qytetarët. Ministri theksoi se përmes kësaj lidhjeje, FSSH “në kuadër të rreth 40 procedurave administrative dhe afariste përdor të dhëna nga RQP si burim të vetëm referues,” duke ulur gabimet dhe nevojën për futje manuale të të dhënave.

Kjo lidhje, ndër të tjera, zbatohet në procedura si: paraqitja dhe çregjistrimi i sigurimit shëndetësor, përcaktimi i statusit të personit të siguruar, pushimi mjekësor, shtatzënia dhe lindja, mjekimi jashtë vendit, formularët dygjuhësh, rimbursimet, vërtetimet dhe të drejta e detyrime të tjera në kompetencë të FSSH-së.

“Ky është shembull se si duhet të duket transformimi digjital në praktikë: institucione që bashkëpunojnë, sisteme që ndërlidhen dhe shërbime që funksionojnë në dobi të qytetarëve,” theksoi Andonovski.

“Do të vazhdojmë të ndërtojmë zgjidhje të tilla – zgjidhje që sjellin përfitime reale, të matshme dhe që e transformojnë administratën publike në një shërbim modern, efikas dhe të qasshëm,” përfundoi ministri Stefan Andonovski

Accessibility Menu