Andonovski: Në Prilep shënuam Ditën e Internetit më të Sigurt

Andonovski: Në Prilep shënuam Ditën e Internetit më të Sigurt

Ministria për Transformim Digjital, në bashkëpunim me Komunën e Prilepit, organizoi ngjarje madhështore me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Internetit më të Sigurt në SHF “Kire Gavriloski – Jane” në Prilep. Ngjarja u realizua në kuadër të projektit MKSafеNet, i cili këtë vit shënohet për herë të dytë.

Ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, theksoi se ky është viti i dytë me radhë që Ministria e shënon Ditën e Internetit më të Sigurt mes nxënësve, duke nënvizuar se qëllimi i projektit MKSafеNet është ngritja e vetëdijes tek më të rinjtë për përdorimin e sigurt të internetit, veprimin parandalues dhe evidentimin e pasojave nga përdorimi i papërgjegjshëm i internetit.

“Përmes projektit deri më tani janë përfshirë më shumë se 70 shkolla në të gjithë vendin dhe janë ndarë mjete dhe udhëzime për të gjithë prindërit dhe mësimdhënësit përmes Ministrisë së Arsimit, me qëllim që prindërit të kenë kontroll më të madh mbi fëmijët që përdorin internetin dhe t’i mbrojnë ata në hapësirën digjitale”, deklaroi Andonovski.

I pyetur nga gazetarët nëse Qeveria po mendon për ndalimin e rrjeteve sociale për më të rinjtë, Andonovski theksoi se një hap i tillë do të ishte tepër radikal.

“Është tepër radikale kur shteti vendos të ndalojë një mjet të caktuar, sepse nëse do të lëviznim në atë drejtim, mund të arrinim edhe në cenimin e së drejtës për zgjedhje të lirë dhe të fjalës së lirë. Megjithatë, Qeveria dhe Ministria mbeten të hapura nëse ka iniciativë për diskutim”, theksoi ministri.

Kryetari i Komunës së Prilepit, Dejan Prodanoski, falënderoi për bashkëpunimin dhe mbështetjen nga Ministria për Transformim Digjital, duke theksuar se Prilepi është ndër prioritetet e Ministrisë. Si shembull konkret ai përmendi Qendrën e re të Shërbimeve të Ministrisë, e cila ndodhet në ambientet e sektorit të administratës tatimore në Prilep.

Përmes Qendrës së re të Shërbimeve të Ministrisë për Transformim Digjital, qytetarët e Prilepit tashmë do të kenë mundësi fizike të marrin disa nga shërbimet që janë të disponueshme në Portalin Kombëtar të Shërbimeve – uslugi.gov.mk.

Ministria për Transformim Digjital vazhdon me aktivitete të orientuara drejt forcimit të shkrim-leximit digjital dhe avancimit të sigurisë së fëmijëve në hapësirën digjitale, përmes bashkëpunimit me shkollat, mësimdhënësit, prindërit dhe sektorin civil.

 

Accessibility Menu