Andonovski: Sulmet kibernetike janë kërcënim real, por sistemet shtetërore treguan gatishmëri dhe rezistencë

Andonovski: Sulmet kibernetike janë kërcënim real, por sistemet shtetërore treguan gatishmëri dhe rezistencë

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, në paraqitjen e tij në emisionin “Studio e natës” në 4TV, njoftoi se fundjavën e kaluar infrastruktura shtetërore ishte cak i një sulmi serioz dhe të sofistikuar kibernetik.

Bëhet fjalë për një sulm DDoS të drejtuar ndaj faqeve të internetit të Qeverisë, ministrive dhe portalit kombëtar uslugi.gov.mk, ku përmes miliona kërkesave të shpërndara në një periudhë më të gjatë kohore, është tentuar të shkaktohet mbingarkesë dhe pengim i qasjes në sisteme.

Ministri Andonovski theksoi se institucionet e kanë identifikuar me kohë kërcënimin dhe kanë reaguar në mënyrë të koordinuar, për shkak të së cilës sulmi është vënë nën kontroll pa u cenuar siguria e të dhënave.

“Sulme do të ketë. Duhet të jemi vigjilentë. Si anëtare e NATO-s, duhet të sillemi me seriozitetin më të lartë kur bëhet fjalë për mbrojtjen e infrastrukturës digjitale dhe të dhënave që janë pjesë e sistemeve shtetërore”, deklaroi ministri Andonovski.

Sipas kontrolleve të kryera, nuk ka të dhëna të infiltruara, të vjedhura apo të fshira. Të dhënat shtetërore mbeten të mbrojtura, ndërsa sulmi nuk ka arritur t’i depërtojë mekanizmat e sigurisë të vendosur për mbrojtjen e sistemeve.

Si masë parandaluese, sistemi është vendosur përkohësisht në regjim mbrojtës për rreth 20 minuta, me qëllim që të kryhen kontrolle dhe skanime të gjendjes. Pas përfundimit të verifikimeve, sistemet janë rikthyer në funksionim normal.

Analizat fillestare tregojnë se sulmet kanë ardhur kryesisht nga jashtë, përmes serverëve proxy, me qëllim fshehjen e gjurmëve të vërteta. Rasti i është dorëzuar Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila do ta udhëheqë hetimin e mëtejshëm.

Andonovski theksoi se ky sulm paraqet edhe një dëshmi se siguria kibernetike nuk është vetëm çështje teknike, por çështje e sigurisë kombëtare, pjekurisë institucionale dhe besimit në shërbimet digjitale.

“Ky ishte një test serioz për sistemin, por edhe dëshmi se shteti po ndërton kapacitete për përgjigje të shpejtë, të koordinuar dhe efikase. Dua ta përgëzoj ekipin e Ministrisë, CIRT-in qeveritar dhe të gjithë operatorët ekonomikë me të cilët bashkëpunojmë. Kërcënimi u identifikua me kohë, koordinimi ishte i shpejtë dhe sistemet u rikthyen në normalitet”, theksoi Andonovski.

Ministria e Transformimit Digjital vazhdon me forcimin e kapaciteteve kombëtare për siguri kibernetike, përmes zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Siguri Kibernetike 2025–2028, vendosjes së një kornize të qartë ligjore dhe zhvillimit të mekanizmave institucionalë për monitorim, koordinim dhe reagim të shpejtë ndaj incidenteve.

Sulmet kibernetike janë realitet me të cilin përballen të gjitha shtetet moderne. Prandaj, transformimi digjital duhet të ecë paralelisht me mbrojtje të fortë kibernetike, institucione të përgatitura dhe monitorim të vazhdueshëm të gjendjes në hapësirën digjitale.

 

Accessibility Menu