Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, në paraqitjen e mbrëmshme në televizionin Alfa, në emisionin “Për apo kundër”, foli për përfitimet nga Sistemi Kombëtar i Menaxhimit të Dokumenteve (eDMS), të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme për rritjen e efikasitetit të institucioneve dhe luftën kundër korrupsionit.
“Ne kemi një Sistem Kombëtar të Menaxhimit të Dokumenteve me arkiv elektronik, i cili automatikisht, sapo të regjistrohet një lëndë në arkiv, i cakton numër dhe askush më nuk mund ta humbasë atë lëndë, nuk mund të harrohet apo të mbetet në sirtar. Dihet saktësisht kur hyn lënda në institucion, ku shpërndahet, kush është përgjegjës për të dhe sa kohë qëndron në një fazë të caktuar të procedurës. Produkti është shumë i thjeshtë; kur unë erdha në institucion, eDMS përdorej nga rreth 20 institucione, ndërsa sot kemi 45 aktive. Në këto institucione, numri i lëndëve është rritur në rreth 60.000, që do të thotë se frekuenca pothuajse është trefishuar. Nëse më parë kishim 0,1 ose 0,2 institucione të reja në muaj të kyçura, sot kemi mesatarisht 4 institucione të reja në muaj”, theksoi Andonovski.
Ministri shtoi se me këtë hap nuk do të ketë më lëndë të ruajtura në sirtar apo të harruara nga organet shtetërore.
“Propozimi im është që edhe Prokuroria Publike ta adoptojë këtë sistem dhe e gjithë dokumentacioni të arkivohet në mënyrë elektronike, në mënyrë që çdo lëndë e re që arrin si kallëzim penal apo parashtresë nga qytetarët, të regjistrohet menjëherë elektronikisht. Atëherë nuk do të jetë më e mundur që prokurorë të caktuar të harrojnë apo humbasin lëndë, ndërsa drejtuesit e prokurorisë do të mund t’i ndjekin ato. Në këtë mënyrë eliminojmë edhe një mundësi për korrupsion”, u shpreh i prerë ministri Andonovski.
Ai theksoi se ky sistem rrit edhe komunikimin ndërinstitucional, ndërsa lëndët nuk do të qarkullojnë më me ditë të tëra, por brenda sekondave.