Ministria e Transformimit Digjital e përmbylli me sukses fazën e parë të bashkëpunimit me Akademinë për e-qeverisje (e-Governance Academy – EGA), në kuadër të nismës “EU Support to Western Balkans Cybersecurity Capacity Building”, të financuar nga Bashkimi Evropian.
Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, në fjalimin e tij theksoi se projekti paraqet një shembull të fuqishëm se si partneriteti me BE-në sjell rezultate konkrete për shtetin, përmes forcimit të kapaciteteve kombëtare për siguri kibernetike dhe përmirësimit të qëndrueshmërisë së institucioneve.
“Si fazë përfundimtare e projektit ishte donacioni në pajisje me vlerë 149.921,20 euro, me të cilin forcohen kapacitetet operative të GOV-CSIRT dhe përmirësohet mbrojtja e institucioneve shtetërore dhe e infrastrukturës kritike digjitale. Kjo nënkupton zbulim më të shpejtë të kërcënimeve, reagim më efikas ndaj incidenteve dhe rezistencë më të madhe ndaj sulmeve kibernetike. Ky donacion është komplementar me investimet e Ministrisë prej më shumë se 1,5 milion eurosh për pajisjen e plotë të CIRT-it Qeveritar”, deklaroi ministri Andonovski.
Ministri shprehu mirënjohje ndaj Bashkimit Evropian për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe ndaj institucioneve dhe ekspertëve të përfshirë në zbatimin e aktiviteteve, duke theksuar se ky model bashkëpunimi është shembull i një projekti ndërkombëtar efikas, i orientuar drejt rezultateve reale dhe të matshme.
Paralelisht me forcimin e sigurisë kibernetike, Ministria po punon aktivisht edhe në nismën “Roaming si në shtëpi”, me qëllim që qytetarët dhe bizneset nga Maqedonia të përdorin shërbime mobile në BE pa kosto shtesë.
“E dini se paralelisht me forcimin e sigurisë kibernetike, po punojmë aktivisht edhe në nismën ‘Roaming si në shtëpi’, me qëllim që qytetarët dhe bizneset nga Maqedonia të përdorin shërbime mobile në BE pa kosto shtesë. Informacioni nga Komisioni Evropian i djeshëm tregon se procesi është aktiv dhe ne jemi të përfshirë në realizimin e tij. Si Qeveri tashmë e kemi përcaktuar edhe tekstin e Ligjit të fundit për harmonizim, me çka, siç kemi premtuar, do të jemi ndër vendet e para plotësisht të harmonizuara me kërkesat për ‘Roaming si në shtëpi’”, shtoi ministri.
Në kuadër të aktiviteteve më të gjera për forcimin e qëndrueshmërisë kibernetike, projekti trevjeçar “Cyber Balkans”, i zbatuar nga Akademia për e-qeverisje dhe i financuar nga Bashkimi Evropian, këtë muaj përfundon zyrtarisht në Maqedoni, duke shënuar një hap të rëndësishëm përpara në forcimin e qëndrueshmërisë kibernetike të vendit.
Projekti ishte i orientuar drejt përmirësimit të qëndrueshmërisë kibernetike në përputhje me praktikat më të mira evropiane, me fokus në harmonizimin e legjislacionit, ndërtimin e kapaciteteve institucionale, gatishmërinë operative dhe bashkëpunimin rajonal.
“Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për të mbështetur Maqedoninë e Veriut dhe Ballkanin Perëndimor në harmonizimin me standardet e BE-së për siguri kibernetike”, deklaroi Mihalis Rokas, ambasador i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut.
Si pjesë e mbështetjes, projekti kontribuoi në ngritjen e Qendrës Qeveritare për Operacione të Sigurisë (GSOC) dhe të Ekipit për Reagim ndaj Incidenteve Kompjuterike (CIRT), si dhe në realizimin e ushtrimeve të nivelit të lartë në tryezë (TTX) për testimin e modeleve të menaxhimit dhe mekanizmave të koordinimit gjatë incidenteve. Gjithashtu, u përgatit një plan i qëndrueshëm për zhvillimin e GOV-CIRT dhe hartëzimi i pajisjeve, me qëllim orientimin e investimeve të ardhshme dhe sigurimin e zhvillimit afatgjatë të kapaciteteve.
Për forcimin e infrastrukturës teknike dhe zbulimin e incidenteve, projekti mbështeti edhe prokurimin e pajisjeve të nevojshme për siguri kibernetike dhe mbrojtje të rrjetit.
“Qëndrueshmëria kibernetike nuk ndërtohet brenda natës. Ajo kërkon baza të forta ligjore, institucione të afta dhe bashkëpunim të vazhdueshëm rajonal”, deklaroi Milan Sekuloski, ekspert i lartë në Akademinë për e-qeverisje. “Gjatë tre viteve të fundit kemi bashkëpunuar ngushtë me partnerët tanë në Maqedoninë e Veriut dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor për të siguruar që reformat të jenë të qëndrueshme, të harmonizuara me standardet e BE-së dhe të mbështetura me kapacitete reale operative. Përparimi i arritur krijon bazë të fortë për vazhdimin e bashkëpunimit në vitet në vijim.”
Ministria e Transformimit Digjital mbetet e përkushtuar për forcimin e sigurisë kibernetike, modernizimin e infrastrukturës digjitale dhe përshpejtimin e integrimit digjital me Bashkimin Evropian, me qëllim të qartë - një shtet digjital i sigurt, i ndërlidhur dhe evropian.