Korniza ligjore duhet të promovojë lirinë e shprehjes dhe sigurinë juridike

Ministria e transformimit dixhital Ministria e transformimit dixhital

Lidhur me publikimet në media që kanë të bëjnë me reagimet e një pjese të influencerëve dhe krijuesve të përmbajtjeve digjitale në lidhje me Rregulloren e Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMA), të ashtuquajturin Udhëzues për influencerët dhe Ligjin për shërbime mediatike audio dhe audiovizuale, Ministria për Transformim Digjital, si ministri kompetente për politikat në fushën e hapësirës digjitale dhe zhvillimin e ekosistemit online, e informon opinionin si vijon:

Ministria e ndjek debatin publik dhe i merr seriozisht parasysh qëndrimet e shprehura nga krijuesit e përmbajtjeve digjitale. Ekonomia digjitale dhe industria kreative janë segment i rëndësishëm i sistemit bashkëkohor mediatik dhe ekonomik, dhe zhvillimi i tyre duhet të mbështetet mbi rregulla të qarta, siguri juridike dhe respektim të standardeve evropiane. Njëkohësisht, është e qartë se ky pluralizëm mediatik e nxit lirinë e shprehjes, diversitetin e mendimit dhe demokracinë në përgjithësi.

Korniza rregullatore në fushën e shërbimeve mediatike audio dhe audiovizuale buron nga ndryshimet ligjore të miratuara nga Kuvendi në përbërjen e kaluar në vitin 2023, me të cilat bëhet harmonizimi me legjislacionin evropian, në veçanti me Direktivën e Bashkimit Evropian për shërbime mediatike audiovizuale. Aktet nënligjore (para së gjithash Rregullorja) burojnë nga këto ndryshime të ligjit, por janë miratuar gjatë vitit 2025. Udhëzuesi është dokument joformal i ASHMA-së me përmbajtje jo detyruese, i cili nuk prodhon efekt juridik.

Ministria vlerëson se çdo rregullativë që i referohet një sektori dinamik dhe me rritje të shpejtë siç është krijimi i përmbajtjeve digjitale duhet të jetë proporcionale, e qartë dhe në dialog të vazhdueshëm me palët e interesuara. Vetërregullimi dhe kodet e sjelljes janë instrumente legjitime në praktikën evropiane, të cilat duhet ta plotësojnë kornizën ligjore që siguron mbrojtjen e interesit publik, transparencën e përmbajtjeve komerciale dhe mbrojtjen e të miturve.

Në drejtim të tejkalimit të sfidave, për t’u dalë në ndihmë nevojave dhe kërkesave të krijuesve të përmbajtjeve digjitale, por edhe publikut të gjerë, Ministria për Transformim Digjital do të iniciojë takime dhe një proces konsultativ me përfaqësues të influencerëve të organizuar në shoqatën e përmendur, ASHMA-në, komunitetin mediatik dhe ekspert, me qëllim shqyrtimin e mundësive për sqarim ose avancim të mëtejshëm të akteve nënligjore, në drejtim të sigurimit të një zgjidhjeje të balancuar dhe të harmonizuar me standardet evropiane.

Qëllimi ynë strategjik mbetet zhvillimi i një hapësire digjitale konkurruese, të lirë dhe të përgjegjshme, e cila do të mundësojë rritjen e industrisë kreative, por edhe do të garantojë siguri juridike dhe mbrojtje të qytetarëve. Asnjë masë apo aktivitet nuk do të nënkuptojë zvogëlim të lirisë së shprehjes së krijuesve të përmbajtjeve dhe punonjësve mediatikë, as ndërhyrje në të drejtat e qytetarëve në përgjithësi.

Ministria do të vazhdojë të punojë aktivisht në përmirësimin e kornizës rregullatore digjitale në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe në interes të zhvillimit të të gjithë ekosistemit digjital në Maqedoni.

Accessibility Menu