Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, si pjesë e delegacionit maqedonas mori pjesë në Dialogun Strategjik me SHBA-të, i cili u mbajt dje në Departamentin e Shtetit në Uashington.
Andonovski theksoi se bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara në fushën e transformimit digjital është i rëndësishëm dhe me rëndësi të veçantë.
“Jam i lumtur që partneri ynë strategjik, SHBA, ka njohur transformimin digjital dhe sigurinë kibernetike si disa nga komponentët kyç të bashkëpunimit tonë. Ne tashmë bashkëpunojmë, duke pasur parasysh se brenda Ministrisë për Transformim Digjital kemi një ekspert nga SHBA, i cili është përgjegjës për përmirësimin e bashkëpunimit tonë të ndërsjellë”, tha Andonovski në një deklaratë për TV Sitel.
Ministri njoftoi gjithashtu për një memorandum me të cilin ky bashkëpunim me SHBA-të në fushën e sigurisë kibernetike do të forcohet më tej, përmes mbështetjes për institucionet qeveritare.
“Përveç që po negociojmë një memorandum gjithëpërfshirës për bashkëpunim midis dy vendeve në këto dy fusha, mund të them se do të vazhdojë edhe mbështetja për institucionet qeveritare, sidomos në ndërtimin e Qendrës Qeveritare për Përgjigje ndaj Incidenteve Kibernetike, pajisjen e saj me harduer dhe softuer, si dhe në mbrojtjen e të gjitha sistemeve kritike”, përfundoi Andonovski.