Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, në një intervistë në emisionin “Click Plus” në TV21, theksoi se Ministria po punon intensivisht në disa projekte që kanë për qëllim lehtësimin e drejtpërdrejtë të jetës së qytetarëve dhe përmirësimin e qasjes në shërbimet publike.
Andonovski paralajmëroi se projekti E-Bebe do të nisë zbatimin vitin e ardhshëm dhe do të përbëjë një hap të rëndësishëm drejt komunikimit më efikas ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve.
Projekti do t’u mundësojë qytetarëve të mos kenë më nevojë të sigurojnë personalisht dokumente nga institucionet shtetërore, por këto dokumente të shkëmbehen në mënyrë elektronike përmes regjistrave shtetërorë.
“Qëllimi është të arrijmë në një fazë ku qytetarët nuk do të kenë nevojë t’i mbledhin vetë këto dokumente, por institucioni t’i marrë automatikisht nga regjistrat shtetërorë. Projekti, të cilin e quajtëm E-Bebe, do të nisë vitin e ardhshëm dhe do ta lehtësojë komunikimin ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve,” deklaroi Andonovski.
Ministri theksoi se vërtetimet gjyqësore – për dënueshmëri, aftësi penale dhe aftësi afariste – tashmë janë të digjitalizuara dhe të qasshme përmes portalit kombëtar për vetëm disa minuta. Ai nënvizoi se një pjesë e institucioneve, si universitetet dhe Agjencia e Punësimit, tashmë i pranojnë dokumentet digjitale, por mbetet e nevojshme që të gjitha institucionet ta ndjekin të njëjtin parim. Ministria do të ndërmarrë hapa për ta tejkaluar plotësisht këtë problem.
Sa i përket lidhjes ndërkombëtare digjitale, Andonovski theksoi se Maqedonia po punon aktivisht për t’u bashkuar me zonën e roamingut të Bashkimit Evropian, me qëllim që qytetarët të mund të përdorin shërbimet mobile jashtë vendit me të njëjtat kushte si në vend.
Ai shtoi se nëse Maqedonia nuk arrin ta realizojë këtë si pjesë e paketës vitin e ardhshëm, do t’i hapë edhe bisedimet bilaterale me vendet ku qytetarët udhëtojnë më shpesh, ngjashëm me atë që kanë bërë Ukraina dhe Moldavia.
“Shumë më lehtë është që këtë ta bëjë Bashkimi Evropian në emër të shtetit, sepse ekziston interes edhe nga ana e Komisionit Evropian, gjë që presidentja von der Leyen e ka theksuar disa herë,” tha ministri.
“Qëllimi ynë është i thjeshtë – sa më shumë shërbime t’u bëhen të qasshme qytetarëve shpejt, lehtë dhe pa shpenzime të panevojshme. Po punojmë në projekte që realisht e lehtësojnë jetën e përditshme,” përfundoi Andonovski.
Ministria e Transformimit Digjital mbetet e përkushtuar ndaj digjitalizimit të shërbimeve publike dhe përshpejtimit të procesit të transformimit digjital të shtetit.
Në vijim e gjeni linkun e të gjithë emisionit:
https://www.youtube.com/live/de8fEXof49s?si=x4pmmuCpGtydrHvE