Andonovski: Hapi i radhës i MTD-së është krijimi i Qendrës Qeveritare për Reagim ndaj Incidenteve Kibernetike

Andonovski: Hapi i radhës i MTD-së është krijimi i Qendrës Qeveritare për Reagim ndaj Incidenteve Kibernetike

“Faza e ardhshme në forcimin e sigurisë kombëtare kibernetike është ndërtimi i Qendrës së re Qeveritare për Reagim ndaj Incidenteve Kibernetike – GOVCIRT”, deklaroi ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, në forumin “Teknologjitë dhe praktikat e mira në sigurinë kibernetike: Përvojat nga Republika e Italisë”, i mbajtur sot në Shkup.

Në ngjarje morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe kompanive italiane, si dhe ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve maqedonase, të cilët diskutuan për modelet dhe zgjidhjet e reja për përmirësimin e qëndrueshmërisë kibernetike.

Ministri Andonovski theksoi se Qeveria është plotësisht e përkushtuar në krijimin e një ekosistemi digjital të sigurt, stabil dhe modern, dhe se Ligji i ri për siguri kibernetike, i miratuar këtë vit, përbën themelin për një standard evropian në këtë fushë.

“Me këtë ligj po vendosim një kornizë të qartë për menaxhimin e rreziqeve, reagimin e shpejtë ndaj incidenteve dhe koordinimin ndërinstitucional. Kjo është një shenjë se Maqedonia është e gatshme të funksionojë në mënyrë të sigurt edhe në kohë të kërcënimeve të ndërlikuara digjitale,” theksoi ministri.

Ai kujtoi gjithashtu Strategjinë Kombëtare për Siguri Kibernetike, e cila përcakton vizionin për krijimin e një shoqërie të qëndrueshme ndaj sulmeve kibernetike dhe vendos prioritetet për infrastrukturën kritike, burimet njerëzore dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Ministri njoftoi krijimin e Qendrës së re Qeveritare për Reagim ndaj Incidenteve Kibernetike (GOVCIRT) si institucion qendror për mbrojtjen e sistemeve digjitale kombëtare.

“Ne po investojmë në infrastrukturë, mjete moderne dhe gatishmëri operative 24/7. Aktualisht po finalizohet Plani i Veprimit për zhvillimin e GOVCIRT-it, i cili do të zgjerojë ekspertizën e ekipit dhe do të mundësojë integrimin në rrjetet evropiane të shkëmbimit të informacionit,” deklaroi Andonovski.

Në fjalimin e tij, ministri u ndal edhe te hapat e mëdhenj që shteti ka ndërmarrë deri tani në procesin e digjitalizimit:

  • mbi 76 institucione janë të lidhura në sistemin kombëtar të ndërveprueshmërisë,
  • portali uslugi.gov.mk ofron mbi 300 shërbime elektronike,
  • portofoli digjital kombëtar është në fazë testimi,
  • janë vendosur bazat ligjore për nënshkrim digjital dhe identitet digjital.

“Digjitalizimi nuk ka kuptim pa besim, dhe besimi nuk ekziston pa siguri të fortë kibernetike,” theksoi ministri.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Andonovski theksoi se siguria kibernetike është “arkitektura e heshtur e shtetit digjital” dhe se Maqedonia me vendosmëri po e ndërton këtë sistem përmes ligjeve, strategjive dhe partneriteteve ndërkombëtare.

“Me Ligjin e ri, me Strategjinë Kombëtare dhe me zhvillimin e GOVCIRT-it, po vendosim themelet e besimit që mban shtetin digjital. Kjo është faza jonë e ardhshme – të ndërtojmë një model të qëndrueshëm dhe evropian të sigurisë kibernetike,” përfundoi ministri Andonovski.

Ministri shprehu gjithashtu mirënjohje ndaj Italisë për mbështetjen dhe ndarjen e përvojave në fushën e sigurisë kibernetike.

Accessibility Menu