Partneritet strategjik për të ardhmen digjitale: Memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë për Transformim Digjital dhe Këshillit Britanik

Partneritet strategjik për të ardhmen digjitale: Memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë për Transformim Digjital dhe Këshillit Britanik

Ministria për Transformim Digjital dhe Këshilli Britanik sot nënshkruan një Memorandum bashkëpunimi, me të cilin vendoset një kornizë strategjike për riaktivizimin e projektit “Shkollat e Shekullit 21”. Kjo nënkupton aktivitete të përbashkëta të orientuara drejt avancimit të transformimit digjital, zhvillimit të aftësive digjitale dhe modernizimit të sistemit arsimor në Maqedoninë e Veriut.

Projekti përfshin përgatitjen e materialeve mësimore, punën e nxënësve me mikroprocesorë, projekte reale në shkolla, sigurinë kibernetike dhe bazat e inteligjencës artificiale.

Ky partneritet paraqet një hap të rëndësishëm drejt vazhdimit dhe zgjerimit të programit të suksesshëm “Shkollat e Shekullit 21”, i cili në periudhën e kaluar u mundësoi mijëra nxënësve dhe mësimdhënësve të zhvillojnë aftësi në kodim, mendim kritik dhe zgjidhje problemesh përmes përdorimit praktik të mjeteve digjitale, përfshirë edhe teknologjinë micro:bit.

Në kuadër të fazës së re të programit, parashihet forcimi shtesë i kapaciteteve të mësimdhënësve në fushat e të menduarit kritik, zgjidhjes së problemeve, kodimit, sigurisë kibernetike dhe bazave të inteligjencës artificiale, si dhe zgjerimi i mbështetjes për grupmoshat më të reja të nxënësve dhe nxitja e projekteve inovative shkollore.

Veçanërisht e rëndësishme është që kjo iniciativë do të realizohet në partneritet me Telekomin e Maqedonisë, si një mbështetës afatgjatë i arsimit digjital dhe inovacioneve teknologjike. Në fazën e ardhshme parashihet lidhja e një marrëveshjeje operative tripalëshe për implementimin e projektit “Shkollat e Shekullit 21” – Faza II, ndërmjet Ministrisë për Transformim Digjital, Këshillit Britanik dhe Telekomi i Maqedonisë.

Memorandumi u nënshkrua nga ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski dhe Claire Sears, drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor dhe bashkënënshkruese e Memorandumit. Në ngjarje morën pjesë edhe Matthew Lawson, ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Stela Durotovic, menaxhere për projekte arsimore për Ballkanin Perëndimor, si dhe Bela Trenevska Shotarovska, menaxhere për komunikime në Ambasadën Britanike.

Accessibility Menu